RVRadio Vatikani
foto testata  

Kategoritë


  Bamirësi dhe
   solidaritet



  Kisha


  Kultura dhe shoqëria


  Dokumentat
   e Vatikanit



  Sinodi


  Ekumenizmi


  Familja


  Të rinjtë


  Drejtësia e paqja


  Politika


  Feja dhe dialogu


  Shkenca dhe etika


  Audiencat dhe
   Lutjet e Engjëllit
   të Tenzot



  Udhëtimet
   apostolike



Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot


 home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot > Lajm


04/11/2009 18.47.54



Papa në audiencën e përgjithshme: diskutimet teologjike, të dobishme e të nevojshme, synojnë në ngadhënjimin e së vërtetës, të thënë me dashuri.






(04.11.2009 RV) Në audiencën e sotme të përgjithshme, Papa vuri në qendër të vëmendjes polemikën ndërmjet teologjisë monastike e asaj skolastike, domethënë ndërmjet Shën Bernardit të Kiarvales e Abelardos, në shekullin XII. Prej këndej, nënvizoi se diskutimi i arsyeshëm teologjik në Kishë është i nevojshëm, posaçërisht kur çështjet që diskutohen, nuk janë përcaktuar nga Magjisteri i Kishës. Papa kujtoi edhe se kjo polemikë përfundoi me pajtimin e plotë ndërmjet të dyve, sepse që të dy vunë, mbi gjithçka, pikërisht atë që duhet ta ketë për zemër kushdo, kur lind një polemikë teologjike, domethënë mbrojtjen e fesë së Kishës dhe përpjekjen për triumfin e së vërtetës, të thënë me dashuri. Papa uroi që kjo të jetë edhe sot mënyra e ballafaqimit në Kishë, duke pasur gjithnjë si qëllim, kërkimin e së vërtetës. U tërhoqi, në vijim, vëmendjen të krishterëve, të ruhen nga intelektualizmi i tepruar i cili – kujtoi Papa - mund t’i zbrazë veprimtaritë njerëzore nga kuptimi moral, siç e dëshmon shpesh relativizmi etik i kohëve tona.
Sfida ndërmjet fesë e arsyes, që kërkojnë të shpjegojnë hyjnoren, ka lindur që prej më se njëmijë vjetësh. Në shekullin XII – nënvizoi Benedikti XVI – dy rryma; ajo e teologjisë monastike e ajo e teologjisë skolastike, iu kundërvunë njëra –tjetrës, duke ndezur polemika, nga të cilat më e famshmja mbetet ajo, që i ndau për një kohë të gjatë abatin Bernardi i Kiaravales e filozofin Abelardo. Në se teologjia – tha në fillim Papa – është e mbetet, përsa është e mundur, kuptim i arsyeshëm i mistereve të Zbulesës së krishterë, që besohen për virtyt të fesë, kundërvënia ndërmjet dy përfaqësuesve lindi pikërisht sepse secili kërkonte çelësin e këtij kuptimi që, për Bernardin e Kiaravales duhet të ishte feja, ndërsa për Abelardon, intelekti:
“Kështu Bernardi nuk pajtohet lehtë me Abelardin, e, më në përgjithësi, me ata që ia nënshtronin të vërtetën e fesë shqyrtimit kritik të arsyes; shqyrtim që, sipas tij, krijonte një rrezik të madh, atë të intelektualizmit, të relativizimit të së vërtetës, të vënies në diskutim të vetë së vërtetës së fesë”.
Për Bernardin – pohoi Papa – vetë feja e ka në vetvete sigurinë e thellë, që bazohet mbi Etërit e lashtë, mbi Shenjtorët, mbi frymëzimin që ngjall Shpirti i Zotit në zemër të besimtarëve. Për murgun e madh – vërejti Benedikti XVI – përpjekja për ta kuptuar misterin e Hyjit me mendjen njerëzore i afrohej ‘qëndrimit pa skrupuj’. Është Fjala hyjnore – mëson Bernardi – që viziton shpirtin dhe e i prin në bashkimin mistik me Veten:
Teologjia, për të, nuk mund të ushqehet ndryshe, veçse përmes lutjes kundruese, me fjalë të tjera, përmes bashkimit plot dashuri të zemrës e të mendjes me Hyjin”.
Kësaj teologjie të zemrës – siç e quajti Papa – iu kundërvu Abelardo me teologjinë e tij të arsyes. Filozof me mendje të ndritur e me aftësi po aq të ndritura dialektike, Abelardo dha mësim në Paris, duke hyrë shpesh herë në polemikë me teologët e kohës së tij e, prej këndej, edhe duke u dënuar e më pas, duke u falur përsëri, nga ana e Kishës. Për sytë e abatit të Kiaravales ca interpretime të Abelardos, e kthenin fenë – theksoi Papa – në një opinion krejt të shkëputur nga e vërteta e zbuluar:
“Në të vërtetë, përdorimi i tepruar i filozofisë e bëri rrezikshmërisht të brishtë doktrinën trinitare të Abelardos, e kështu edhe idenë e tij për Zotin. Në fushën morale, mësimi i tij nuk ishte pa dykuptimësi; ai ngulte këmbë se qëllimi i subjektit është i vetmi burim, për të përshkruar mirësinë ose ligësinë e veprimeve morale, duke e lënë, kështu, pas dore, kuptimin objektiv e vlerën morale të veprimeve; subjektivizëm i rrezikshëm! Është ky – siç e dimë- një aspekt tejet aktual për epokën tonë, në të cilën kultura shpesh herë duket se priret nga relativizmi etik: vetëm ‘uni’ im vendos ç’është e mirë për mua në këtë çast”.
E këtu Benedikti XVI ripohoi se parimet që këshillon filozofia, kanë vetëm vlerën e mjeteve, e duhet të jenë në drejtpeshim me ato, që Papa i quajti ‘parime arkitektonike” të Zbulesës. Në se ky drejtpeshim prishet, i takon Magjisterit ta rivendosë, duke i mbrojtur besimtarët më të thjeshtë nga argumentime teologjike , që mund ta rrezikojnë fenë e tyre. E ky është edhe një nga mësimet e mëdha të kësaj polemike të lashtë:
Mbi të gjitha besoj se na tregon që diskutimi teologjik në Kishë është sa i nevojshëm, aq edhe i dobishëmn, posaçërisht kur çështjet e diskutuara nuk janë përcaktuar nga Magjisteri i Kishës, i cili, gjithsesi, mbetet pikëmbështetje e domosdoshme”.
Benedikti XVI, më pas, e përfundoi katekizmin me një mësim tjetër. Na e japin këto dy figura të ndritura që, ndonëse kundërshtarë të flaktë, nuk harronin, në fund, vlerën më të madhe: atë të pajtimit:
“Abelardo u tregua i përvujtë duke pranuar gabimet e tij, Bernardi iu përgjigj me dashamirësi. Të dy vunë, mbi gjithçka, pikërisht atë që duhet ta ketë për zemër kushdo, kur lind një polemikë teologjike, domethënë mbrojtjen e fesë së Kishës dhe përpjekjen për triumfin e së vërtetës, të thënë me dashuri. Uroj që kjo të jetë edhe sot mënyra e ballafaqimit në Kishë, duke pasur gjithnjë si qëllim, kërkimin e së vërtetës”.
Ndonëse qielli i ngrysur romak, i ngarkuar me re, nuk premtonte asgjë të mirë, atmosfera e audiencës ishte e hareshme. E u bë edhe më gazmore, kur një grup ciganësh hungarezë, të pranishëm, luajtën disa fragmente nga “Rapsodia hungareze n. 2” e Ferenç Listit.
Në çastin e përshëndetjeve, Papa kujtoi figura të shquara të Kishës, të djeshme e të sotme, duke filluar nga Shën Karl Borromeu, festën liturgjike të të cilit e kremtoi sot Kisha katolike. Ndërmjetësisë së Shën Karlit Papa ia besoi të rinjtë, të sapomartuarit e të sëmurët, për të vijuar, pastaj, me kujtimin e Gjon Palit II, i cili mbante emrin e Shën Karlit e që Benedikti XVI e paraqiti si shembull, që na frymëzon të gjithë të ecim në rrugën e shenjtërisë. E Papa e përfundoi audiencën me kujtimin e Dom Oreste Benzit, themelues i Bashkësisë Papa Gjoni XXIII, që vdiq dy vjet më parë, duke përshëndetur e duke falënderuar për veprimtarinë e tyre, përfaqësuesit e kësaj Bashkësie, të pranishëm në audiencë.


  « Faqja e mëparshme

 


Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot

09/11/2009 17.21.25
Benedikti XVI për emigrantët: janë pasuri e çelës i zhvillimit për kombet që i mirëpresin.


06/11/2009 18.21.25
Presidenti i Kazakistanit, në Vatikan, bisedon me Papën për paqen, krizën ekonomike e dialogun ndërfetar.


02/11/2009 17.45.05
Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot: Shenjtorët na ftojnë ta ndjekim Jezusin me gëzim e pa ndërlikime. Ta jetojmë me frymë të krishterë përkujtimin e të vdekurve.


31/10/2009 16.09.30
Papa ambasadorit të ri bullgar: vlerat e krishtera nuk janë thjesht trashëgimi e së kaluarës, por krijuese të shpirtit të Evropës.


30/10/2009 17.40.41
Benedikti XVI ambasadores së re të Panamasë: Progresi i vërtetë nuk varet vetëm nga zhvillimi ekonomik, por edhe nga ai moral e shpirtëror.



Kategori te nderlidhura


Faqja e mëparshme  Faqja e mëparshme
Home page  Home page
Shkruaji redaksisë  Shkruaji redaksisë
top
top
All the contents on this site are copyrighted ©. Webmaster / Credits / Legal Conditions
top
top